Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar rialokimin e mjeteve që do të përdoren për rikonstruktimin e Xhamisë së Ibrit në Mitrovicën e Veriut.
Në bazë të propozimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ky investim do të kushtojë 50 mijë euro.
“Rikonstruktimi i Xhamisë së djegur të Ibrit, Xhamia e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, paraqet një hap me rëndësi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, si pjesë e identitetit historik dhe diversitetit kulturor të Kosovës. Kjo xhami ka vlerë të veçantë për komunitetin lokal dhe përfaqëson një simbol të bashkëjetesës, kujtesës dhe trashëgimisë së qytetit të Mitrovicës”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e 19-të të Qeverisë.
Por kujtojmë se, më 20 shkurt të këtij viti, në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër amendamentit për përfshirjen e pikërisht këtij projekti, rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, në buxhetin e vitit 2026.










