Korrupsioni qeveritar sot po bëhet në WhatsApp, ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke komentuar bisedat e Faruk Mujkës me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanollin dhe Dejona Mihalin, që i publikoi ekskluzivisht VOX Kosova, në të cilat kuptohet se Mujka ishte emëruar ilegalisht Kryeshef i Ndërmarrjes Hidroekonomike Ibër-Lepenci, nëpërmjet ndikimit të Rizvanollit dhe Mihalit.
“Në Kosovë, korrupsioni serioz qeveritar sot bëhet në grupe WhatsApp-i. Ai ka gërryer nga brenda pasurinë e Kosovës. Të fshehur pas perdes së populizmit dhe patriotizmit të rremë, këta kanë vjedhur në WhatsApp, kanë ndarë tenderë në WhatsApp dhe kanë kapur ndërmarrje publike në WhatsApp”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Ajo ka thënë se VV-ja “janë të zhytur në korrupsion”.
“Këta nuk kanë qeverisur për pesë vjet. Këta kanë kryer krime çdo ditë, kanë kapur institucionet çdo ditë dhe kanë rrënuar shpresën në Kosovë”, shkroi Bajrami në Facebook.
“Është dëshpëruese”, konsideron ajo, “qysh gratë në LVV po lejojnë të bëhen masha të Dejonës e Albinit!”.









