Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e ka quajtur “formë të veçantë të dashurisë dhe përkushtimit për mbrojtjen e vlerave të shtetit”, publikimin e skandalit të “Whatsappit” nga VOX Kosova, ku të përfshirë janë kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes “Ibër – Lepenc”, Faruk Mujka, dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Në një prononcim dhënë VOX Kosovës, Mustafa thotë se ajo që ka ndodhur me ndërhyrjet e ministres Rizvanolli dhe Dejona Mihalit në këtë konkurs, “është krejtësisht e kundërligjshme”.
“Para së gjithash e vlerësoj shumë publikimin e këtij skandali nga VOX Kosova. Është kjo një formë e veçantë e dashurisë dhe përkushtimit për mbrojtjen e vlerave fundamentale të shtetit tonë. Komunikimi i akterëve të këtij skandali shpërfaq anën e errët por të vërtetë të këtij pushteti. Ligji për ndërmarrjet publike rregullon qartë proceduat dhe kriteret e zgjedhjes së bordit dhe të menaxhmentit. Qeveria është në rolin e aksionarit por nuk ka të drejtë të favorizojë dhe diskriminojë kandidatët në konkurs. Ndërhyrjet nga jashtë janë të kundërligjshme”, thotë Mustafa.
Në komunikimet që VOX Kosova publikoi dje (e mërkurë, 17 dhjetor), ministrja Rizvanolli dëgjohet teksa lëshohet në ofendime të rënda ndaj ish-ministrit Skender Hyseni. Për këtë, Isa Mustafa thotë se kishte përshtypje të tjera për Rizvanollin, dhe “se nuk e kupton çfarë interesi ka pasur të shpërfaqë një sjellje të tillë të ulët”.
“Sa u përket ofendimeve dhe bullizimit të ish ministrit Hyseni, në këtë rast mund të them se nuk po e njoh ministren, sepse e përpara e kam njohur si një punëtore të zellshme, të sjellshme dhe me edukatë. Vështirë është për ta kuptuar se çfarë interesi ka pasur për të shpërfaqë një sjellje të tillë të ulët dhe të papranueshme nga aspekti njerëzor dhe intelektual si dhe nga pozita që e mban”, shton.
VOX Kosova ekskluzivisht ka siguruar nga dosja e Prokurorisë komunikimet e Faruk Mujkës me Artane Rizvanollin, Albulena Haxhiun, Dejona Mihailin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të Kosovës. Komunikime këto të realizuara nga dy telefonë të Mujkës, që iu konfiskuan në momentin e arrestimit të tij më 14 korrik 2023, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kur Mujkës iu ekzaminuan telefonët nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike, Sektori për Fotografi, Video-analizë dhe Ekzaminime të IT-së, u gjet se Mujka kishte komunikime të rregullta me ministra të Vetëvendosjes e me Dejonan Mihailin.
Në komunikimet e Faruk Mujkës me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Dejona Mihailin e Vetëvendosjes, kuptohet qartësisht, se qysh nga fillimi konkursi për kryeshef të Ibër Lepencit ishte veç një formalitet.
Personi tashmë ishte caktuar dhe do të përzgjedhej politikisht, ilegalisht, nëpërmjet abuzimit të skajshëm me pushtetin.









