“Nuk mund unë që ta mohoj vullnetin qytetar, nuk mund që ta shtyp atë, ose që me një vendim timin të veproj në kundërshtim me të”, ka thënë Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kur është pyetur se nga cila parti do ta emërojë anëtarin e 10-të të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga Lëvizja Vetëvendosje apo Partia Demokratike e Kosovës.

Këto komente, Haxhiu i bëri në një prononcim për gazetarë të mërkurën. Ajo tha se për emërimin e anëtarit të 10-të KQZ-së do të veprojë në përputhje me përgjegjësitë, duke shtuar se ky ka qenë një proces që është dashur të përmbyllet nga ish-Presidentja Vjosa Osmani.

“Në raport me këtë çështje, janë tejkaluar të gjitha afatet, mendoj që ka qenë një proces kushtetues që është dashur të përmbyllet nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Do të veproj në përputhje me përgjegjësitë. Unë kam thënë që proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike nuk mund të shkelen”, deklaroi Haxhiu.

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte emëruar 9 anëtarë të rinj në KQZ, të propozuar nga partitë politike parlamentare, nga 10 sa duhet.

KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë. 10 prej tyre janë propozime të partive politike parlamentare dhe Kryetari. Gjashtë nga anëtarët emërohen pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një emërohet nga deputetët e komunitetit jo shumicë serb, dhe tre të tjerët nga deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serbe.

Por, ish-Presidentja Osmani emëroi vetëm nëntë. Ajo i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime pasi që partitë kishin propozuar anëtarë më shumë seç duhet, por Kushtetuesja e shpalli të papranueshme kërkesën e saj.

Fjala është për një vend në mes të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëvendosja i ka propozuar tre anëtarë, dy prej të cilëve janë emëruar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar dy anëtarë – Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn – vetëm i pari i është emëruar.

Duke pasur këto propozime, Osmani kishte kërkuar udhëzime nga Kushtetuesja sesi të veprojë, pasi që VV po pretendon se i takojnë tre anëtarë, ndërsa PDK-ja dy, por akti më i lartë juridik nuk ia kishte pranuar kërkesën.

Nga një anëtar i janë emëruar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe të tjerët nga komunitetet jo shumicë.