“Kjo është çështje që nuk mund të përgjigjemi sot”, ka deklaruar Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje kur është pyetur nëse do të bëjnë ndonjë koalicion me partitë e tjera për krijimin e institucioneve.
“Pra, ju e dini që ne i kemi të mjaftueshëm numrat për të votuar Qeverinë. Gjithsesi unë nuk mund të them sot se do të qeverisim me një parti tjetër”, tha Nagavci në Debat Plus.
“Fatmirësisht qytetarët na kanë dhënë besimin e mjaftueshëm që ne të kemi Qeverinë si subjekt që kemi ulëset në Kuvend bashkë me partnerët tanë…”, shtoi ajo.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, Nagavci tha se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti do të fillojë bisedimet me subjektet politike “që kanë ulëse në Kuvend në mënyrë që të zgjedhim Presidentin apo Presidenten e vendit”.
Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit pritet që të certifikohen shumë shpejt. Tanimë janë numëruar të gjitha votat, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të ankesave.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhje me 47.13 për qind të votave, apo 382 mijë e 869 vota. Ky rezultat, ia ka siguruar VV-së 53 deputetë.
E dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës me 19.44 për qind, apo 157 mijë e 892 vota. PDK në legjislaturën e 11-të do të ketë 22 deputetë.
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.69 për qind, apo 135 mijë e 567 vota. LDK do të ketë 18 ulëse Kuvendi.
E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 6.74 për qind, apo 54 mijë e 729 vota. AAK do ketë 7 deputetë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit u mbajtën për shkak të dështimit të deputetëve për ta zgjedhur Presidentin e ri.









