Ka dështuar edhe vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka propozuar kandidat për kryetar të Kuvendit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë shtesë, duke thënë se nevojitet më shumë kohë për konsultime lidhur me çështjen e presidentit dhe arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”. “Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot. ka thënë Kurti.

Për shkak të mungesës së propozimit për kryetar të Kuvendit, seanca nuk ka vazhduar me procedurat e parapara dhe është shtyrë për një termin tjetër.

Ngërçi politik vazhdon të mbajë të bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja të Kosovës.