Në faqen zyrtare të NATO-s, nëse shkruani titullin “Kosovo Air Campaign” Mars-Qershor 1999, ju shfaqet ky tekst i gjatë që tregon për kampanjën bombarduese të NATO-s mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe, i ndërmarrë nga një shtysë humanitare për ta shpëtuar popullin e Kosovës që ose po masakrohej, ose po vritej, ose po dëbohej nga vendi i vet.
Një nga pikat kyçe, shpjegon NATO, se pse u mor kjo kampanjë, ishte se “Presidenti serb, Millosheviç, kishte politikë të spastrimit etnik” kundrejt shqiptarëve.
Por, ekziston një grup tjetër njerëzish që besojnë krejt të kundërtën. Ata thonë se “NATO e ka mbështetur drejtpërdrejt Millosheviçin” për të kryer krimet ndaj shqiptarëve. Mbase do të mendoni, kush janë këta? Kush po beson se NATO ishte kundër shqiptarëve dhe në ndihmë të Milloshevicit për t’i vrarë shqiptarët në Kosovë.
Është Vetëvendosja dhe Albin Kurti. Madje, atë që lexova më herët ishte pikërisht nga një shkrim i Vetëvendosjes që mban datën e publikimit 2 qershor 2010. Në këtë tekst të publikuar në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, arkivë të cilën Vetëvendosja është munduar ta fshijë, në shkrimin me titull “Për çfarë ka intervenuar NATO në Kosovë” vihet në pikëpyetje intervenimi i NATO-s.
Madje, në formë të pyetjes, jepet konstatimi se “Me intervenimin e NATO-s është ruajtur integriteti dhe sovraniteti territorial i Jugosllavisë”. E pabesueshme, e di. Por, ky është vetëm fillimi. NATO, në formë jo krejt direkte, bëhet përgjegjëse dhe fajtore edhe për dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve.
“Pjesa dërrmuese e vrasjeve kundër civilëve ka ndodhur pas fillimit të intervenimit të NATO-s”, thuhet në tekst.
Pra, me pak fjalë, për Vetëvendosjen intervenimi i NATO-s ishte shtysë për vrasje.
Por, pjesa kulmore e këtij teksti të poshtër është ajo ku Vetëvendosje përzgjedh të citojë një shkrimtar serb dhe shkruan: “Është fakt i pamohueshëm që NATO e ka mbështetur drejtpërdrejtë Sllobodan Milloshevicin duke ndihmuar që të ndërmarrë këtë valë të fundit të mizorive gjithandej në Kosovë”.
Duke vazhduar me fraza të tjera sikur ajo se “përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe”. Dhe, përfundimisht, teksti arrin në konkludimin se “intervenimi i NATO-s nuk është bërë për ta çliruar Kosovën”.
Por, nëse mendoni se ky është teksti i vetëm i Vetëvendosjes apo i Albin Kurtit që flet kundër NATO-s e intervenimit në Kosovë, jeni gabim. Këto ide dhe ky lloj fjalori, i cili gjendej veç në Beograd, ishte ngjizur nga Albin Kurti qysh herët.
Ai edhe në vitin 2005, në gazetën që e publikonte Vetëvendosja, kishte kohë pas kohe editorial ku përdorte ngjyra të njëjta, për ta pikturuar intervenimin e NATO-s.
Më 11 tetor 2005, Albin Kurti shkruante se gjatë intervenimit të NATO-s kishte terror, frikë e panik. E vërteta normalisht ishte tjetër. Intervenimi i NATO-s ishte krejt çfarë kishin kërkuar shqiptarët, prandaj sot aktorët si Wesley Clark ose Bill Clinton janë heronj të Kosovës, por Albin Kurti kishte këtë mision për të gërvishtur aq sa mundet imazhin e popullit për NATO-n, për Amerikën, për Perëndimin.
Kurti shkruan se “qytetarët përjetimet gjatë bombardimeve të NATO-s më shumë u kujtohen si tmerr”. Më poshtë, Kurti shprehet se “bombardimi i NATO-s ishte edhe eksperimentim”, derisa fjalitë pasuese janë më brutalet ku Kurti u thotë shqiptarëve se “masakrat, dhunimet dhe shkatërrimet më të mëdha e më të shumta ndodhën gjatë asaj kohe te luftës”. Pra, gjatë bombardimeve të NATO-s.
Ai këtu përdor të vërteta teknike, pa kontekst, për të ri-pozicionuar rolin e armikut në mendjen e popullit.
Është e panevojshme të vazhdohet me citime nga ky tekst; i gjithi është i mbushur me fëlliqësi të tilla ku me dinakëri dhe dredhime, Albin Kurti tenton t’i mbush shqiptarët me mllef ndaj një aleance të cilës populli i jepte, me të drejtë, falënderimin absolut. S’është se nuk ja arriti.
Me deklarime të tilla dhe fjali se Amerika intervenoi për interesa të veta në Kosovë, një pjesë e mirë e popullit filloi ta shihte forcën çliruese me smirë e deri edhe me urrejtje. Ka edhe shkrime të tjera që dokumentojnë të njëjtën gjë.
Madje, secila ngjarje e suksesshme për shqiptarët e për Kosovën në të kaluarën është ndotur e përbaltur nga Albin Kurti dhe Vetëvendosja e tij, deri edhe vetë pavarësia.
24 marsi, pra fillimi i bombardimeve të NATO-s, sot festohet në Kosovë, me të drejtë. Por, padrejtësisht, njeriu që ishte kundër këtij bombardimi dhe u angazhua me krejt çka kishte për ta ndotur si ngjarje, udhëheqë sot me Kosovën.
Albin Kurti kurrë nuk ka kërkuar falje për qëndrimet e tij, çka e dëshmon se leximet që i jep ai nuk ishin një gabim, por strategji.
Albin Kurti u angazhua gjithë jetën politike të tij për ta riformatuar të vërtetën tonë dhe po vazhdon.
Por, përkundër kohërave që sot duken sikur i shkojnë për shtati, unë jam absolutisht i bindur se e vërteta historike, përkundër që tash merr goditje që ngjajnë si fatale, do të jetë pikërisht ajo e vërtetë që do ta godasë fatalisht Kurtin vetë.








