Amendamenti për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2026 nuk ka gjetur mbështetje në Komisionin për Buxhet, pasi që deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e përkrahën.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, ku mori pjesë edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, pro amendamentit votuan pesë deputetë: ata të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës.

Kundër nuk pati, ndërsa abstenuan ata të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që ka pushtetin.

Murati tha se kjo çështje është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ i marsit të vitit 2024 dhe se mbulimi i protezave bëhet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, derisa e kritikoi amendametin gjoja si të shkruar keq.

“Sa i përket amendamentit, edhe vetë amendamenti edhe po të miratohet nuk është që bën diçka, sepse është i shkruar keq. Edhe amendamente të tilla as nuk bëhen në këtë formë. Nëse synimi është të krijohet një mekanizëm institucional, kjo nuk është mënyra, sepse këtu, krejt cka po thuhet është shtohen 1 milion euro për pajisjet, protezat dhe mjetet tjera mjekësore për invalidët e luftës. Kush e zbaton? Ku aplikohet? Kush merret me pagesën? Kush merret me shqyrtimin e aplikacioneve?”, tha Murati.

Pasi që amendamenti nuk kaloi, reagoi ish-Kryeministri Ramush Haradinaj. Për të, është “e papranueshme që ata që dhanë gjymtyrët dhe shëndetin për lirinë e Kosovës, sot të lihen në harresë nga kjo qeveri”.

“Mosmbështetja e amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje mjekësore për invalidët e luftës është e dhimbshme dhe dëshmi e mungesës së kujdesit nga ana e pushtetit ndaj kësaj kategorie të shenjtë”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Proteza për një invalid të luftës, ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës theksoi se nuk është luks, por domosdoshmëri.

“Këto pajisje duhet të ndërrohen periodikisht, ndërsa kostoja e tyre është e papërballueshme për shumë prej tyre. Është detyrim i shtetit që t’ua sigurojë, e jo t’i lërë të kërkojnë ndihmë te miqtë dhe bashkatdhetarët në diasporë”, potencoi ai.

Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet nuk kaloi as amendamenti për ndarjen e 600 mijë eurove për ndërtimin e një memoriali të fëmijëve të vrarë e zhdukur gjatë luftës, i cili u propozua nga deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu.

Edhe ky nuk kaloi për shkak se nuk u mbështet nga mazhoranca. Pro votuan katër deputetë, asnjë kundër dhe gjashtë abstenuan.

Duke e kundërshtuar amendamentin, Murati theksoi se ndërtimi i memorialit është përgjegjësi e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në kuadër të Ministrisë së Kulturës.