Rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga deputetja Sala Jashari, përmes të cilës kërkohej ndërmarrja e masave urgjente për sigurimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët, nuk ka kaluar në Kuvend në seancën e së premtes, për shkak të mungesës së kuorumit.

Nuk kishte kuorum për votimin e kësaj rezolute, për shkak se deputetët e shumicës, pra Lëvizjes Vetëvendosje, nuk morën pjesë në votim.

Në sallë ishin të pranishëm 63 deputetë. 42 prej tyre votuan pro rezolutës, dy abstenime, ndërsa të tjerët nuk morën pjesë në seancë.

Në rezolutën e propozuar nga deputetja Jashari, ndër të tjera, i kërkohej Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës që të ndërmerrnin menjëherë të gjitha masat ligjore e administrative për të garantuar furnizimin e pandërprerë me barna nga lista esenciale, veçanërisht për pacientët e onkologjisë.

15 ditë pas miratimit të kësaj rezolute, i kërkohej Ministrisë së Shëndetësisë që të dorëzonte një raport të plotë për periudhën kohore 1janar – 22 tetor 2026, ku do të përfshihej lista e barnave onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatja e mungesave, numri i pacientëve të prekur, shkaqet e mungesave dhe statusi i procedurave të prokurimit.