Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje në procesin e konstituimit të Kuvendit, duke e akuzuar partinë e Albin Kurtit për zvarritje të procesit.

Në një intervistë për IndeksOnline, Mustafa ka thënë se me veprimet e VV-së nuk po shihet synimi për konstituimin e Kuvendit.

“Me këtë sjellje të VV-së, si parti me numrin më të madh të deputetëve, nuk shihet qëllimi i konstituimit të Kuvendit, por zvarritja e tij. Asgjë s’përngjan në demokraci parlamentare. VV tenton t’i diktojë PDK-së dhe LDK-së deputetët të cilët bëjnë dhe s’bëjnë për nënkryetar të Kuvendit. Është diktaturë e mbështjellë në numra”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka kritikuar edhe partitë opozitare, duke thënë se nuk kanë një strategji të përbashkët për dalje nga ngërçi politik.

“Roli i opozitës duket heterogjen”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se njëra parti po përpiqet ta ndihmojë Kurtin ta përmbyllë procesin, ndërsa dy të tjerat po tentojnë ta bindin elektoratin se përgjegjësia për zgjedhje të reja do të ishte e Kurtit.

Sipas tij, partitë opozitare kanë pranuar të veprojnë në një “terren jashtkushtetues” të diktuar nga Kurti.

Mustafa ka thënë se nuk sheh një zgjidhje ideale për situatën aktuale, por ka kërkuar që partitë të shmangin veprimet jokushtetuese dhe të mbajnë qëndrime në përputhje me programet e tyre.

Ndërkaq, sa i përket mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të reja, Mustafa ka thënë se partitë politike nuk duhet të frikësohen nga zgjedhjet.

“Partitë themelohen, udhëhiqen dhe drejtohen për të shkuar në zgjedhje, jo për t’u frikësuar nga zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Mustafa ka kritikuar edhe rolin e diasporës, duke thënë se ajo duhet të ruajë vlerën e saj dhe të mos ndikojë në imponimin e një sistemi që ai e cilëson si diktaturë.