Tanja Vujoviç, deputete e Listës Serbe, është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Për të votuan edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo mori 62 vota për, 6 kundër dhe 3 abstenime.
Pas Vujoviç-it, nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe, u zgjodh deputetja Emilja Rexhepi.
Ajo mori 70 vota për, 7 abstenime dhe asnjë kundër.
Në seancën e së dielës nënkryetar u zgjodh edhe Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës nuk mori fare pjesë në seancë pasi që të premten VV-ja refuzoi që ta votojë Vlora Çitakun për nënkryetare.
Ata njoftuan se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe se deri sa të ketë një vendim të këtij institucioni e tërheqin kandidaturën e Çitakut.









