Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës, kanë shkuar sërish në Kuvend, ku kanë kërkuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Arian Tahiri, Deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është duke e bllokuar funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
“Si rezultat i fuqisë së madhe politike që qytetari i Kosovës ia ka dhënë Albin Kurtit, po i shohim skenarët e tij politikë që në vazhdimësi me prodhu situata, të cilat e pengojnë funksionalizimin e shtetit të Kosovës. Pavarësisht që ai ka mbërri edhe më 28 dhjetor, edhe më 7 qershor me marrë mbështetjen popullore dhe me e fitu pushtetin 100 për qind. Po na po e shohim dhe besoj shumë që janë duke e pa edhe qytetarët e Republikës së Kosovës e më së shumti votuesit e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes që Albin Kurtit nuk po i mjafton pushteti 100 për qind”, tha ai.
“Tendenca e tij është me nënshtru qytetarin e Kosovës, me cenu rendin organizativ kushtetues ligjor në këtë vend”, deklaroi ai.
Edhe Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, pati kritika për Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me bllokadën institucionale.
“Ata tashmë as nuk po e fshehin që janë bllokuesit. Ata s’po tentojnë as të arsyetohen pse po e bëjnë bllokadën e Kuvendit edhe të shtetit të Kosovës. Ne jemi këtu në sallën e Kuvendit edhe sot, ata nuk janë. Një pjesë e deputetëve të Vetëvendosjes sot janë në bregdet. Një pjesë e tyre janë duke u marrë me biznes. Një pjesë e tyre janë në kolltukët qeveritare, ndërkaq një pjesë e tyre nuk guxojnë me dalë nga shtëpia rrinë në shtëpi për shkak të kërkesave dhe pyetjeve të qytetarëve që i bëjnë”, tha Ramadani.









