Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka deklaruar se në këto momente nuk është e mundur ardhja në Kroaci e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për shkak të deklaratave dhe veprimeve të fundit dhe për këtë arsye ka vendosur që ta anulojë takimin e Brdo Brionit, i cili parashihej që të mbahej në maj.

“Deklaratat dhe veprimet politike të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilat i kemi dëshmuar ditët dhe javët e fundit, janë në kundërshtim të plotë me qëllimin e Procesit Brdo-Brioni, dëmtojnë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore”, ka theksuar Milanoviç, transmetojnë mediat kroate.

Për këtë arsye, Milanoviç vlerëson se në këto rrethana nuk ekzistojnë kushtet dhe se nuk është e mundur ardhja e Vuçiçit në Kroaci.

Kroacia dhe Sllovenia, si anëtare të Bashkimit Evropian, e kanë iniciuar Procesin e Brdo-Brionit me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Evropës Juglindore.

Si bashkëkryesues i Procesit Brdo-Brioni, Milanoviç ka vendosur ta anulojë takimin e planifikuar në Kroaci dhe për këtë ka njoftuar krerët e shteteve pjesëmarrëse, thuhet në njoftimin e presidencës kroate.

Takimi i radhës i krerëve të shteteve në kuadër të Procesit të Brdo-Brionit do të mbahet kur të krijohen kushtet për këtë, pas konsultimeve mes Milanoviç-it dhe Presidentes së Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar, si bashkëkryesuese të këtij procesi, shtohet më tej.

Vuçiç në muajt e fundit, pa paraqitur prova, e ka akuzuar Kroacinë se “ndërhyn brutalisht” në çështjet e brendshme të Serbisë dhe se ka qenë “mbështetja kryesore logjistike për rrëzimin e Serbisë” për kundërshtarët e tij politikë në vend.

Procesi i Brdo-Brionit është një nismë rajonale që mbledh liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është iniciuar në vitin 2013 me qëllim që të nxisë bashkëpunimin dhe të përshpejtojë integrimet evropiane të rajonit.

Vitin e kaluar ky samit ishte mbajtur në qytetin bregdetar të Shqipërisë, Durrës. Kosova ishte përfaqësuar nga Presidentja Vjosa Osmani.