Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka suspenduar 11 zyrtarë policorë në Pejë, merr vesh VOX Kosova nga burimet brenda IPK-së.

Ky vendim vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt, të cilën shteti nuk e kishte mbrojtur, pavarësisht se ajo e kishte paralajmëruar se mund të vinte kjo situatë dhe prandaj kishte kërkuar mbrojtje.

Ndër zyrtarët policorë të suspenduar është Komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, por edhe Faruk Muqolli, të cilit iu publikua një bisedë me të ndjerën Arlinda Zekaj.

Aty, Arlinda e paralajmëron se mund të vritet, por Muqolli mban një qasje tejet joprofesionale, duke i thënë, ndër të tjera, se më “nuk kam me të pranu”.

“Ti ndoshta e sheh ndryshe qata, ne e lexojmë ndryshe. Ne jemi në rregull ndaj të gjitha përgjegjësive tona, na jemi në rregull. Ne e kemi obligim sot me të çu deri te dera e shpisë”, i kishte thënë Faruku asaj.

“Faruk, Faruk, të lutem. Unë vrahna, s’ka lidhje, por ju keni me u përgjigjë. A po? A është shumë e thjeshtë. Krejt gratë që janë vra qeshtu janë përgjigjë, masi kanë vdekë, a po?”, i thoshte Arlinda.

“Unë ty më nuk kam me të pranu. Personalisht s’kam me të pranu. Se nuk e kam obligim me të pranu”, i kishte thënë Faruku.

Arlinda Zekaj u vra të dielën me sëpatë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua dy ditë pasi që e kreu aktin.