Është arrestuar i dyshuari për vrasjen e dyfishtë që ndodhi dje në fshatin Gollubovc të Komunës së Malishevës.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se bëhet fjalë për A.I., për të cilin dje u raportua se është nga Drenasi.
“Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Brenda afatit të paraparë ligjor, ndaj të dyshuarit A.I. do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas hetimeve fillestare, A.I. dyshohet se ka vrarë dy vëllezër me armë zjarri në afërsi të shtëpisë së tyre. Nga ajo që është bërë e ditur deri tani, i dyshuari kryesor është dhëndri i viktimave.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka folur për masat që janë ndërmarrë për kapjen e të dyshuarit.
“Tani për tani nuk mund të japim më shumë informata, pasi duhet të bëhet verifikimi i tyre, e më pas të dalim me një njoftim zyrtar, me qëllim që të sigurojmë saktësi maksimale,” ka thënë Gashi, duke konfirmuar se viktimat dhe i dyshuari kanë lidhje familjare.
Ai shtoi se ende është herët të flitet për motivet e kësaj vrasjeje.
“Në mes vete kanë pasur raporte familjare, por motivi ende nuk dihet saktësisht. Pasi t’i marrim të dhënat më të plota, do të dalim me një komunikatë zyrtare,” ka thënë Gashi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve dje në Malishevë, i cili është arrestuar sot në orët e mëngjesit, ishte i plagosur.
Në njoftimin e policisë është thënë se pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor.
Sipas policisë, plagët dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.
“Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.









