Anita Muçaj, bashkëshortja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga avokatja Adelina Hoxha që të bëjë publik identitetin e personit me mbiemrin Haradinaj, i cili, sipas deklarimeve të avokates, është përmendur në kontekstin e kërcënimeve nga i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt.
Përmes një postimi në Facebook, Muçaj ka shprehur dhimbjen për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se ajo ishte një grua dhe nënë që kërkonte mbrojtje nga institucionet shtetërore.
“Si anëtare e familjes Haradinaj, bashkëndjej dhimbjen e madhe nga vrasja makabre dhe shokuese e një nëne dhe një gruaje që kërkonte mbrojtje shtetërore, të ndjerës Arlinda Zekaj”, ka shkruar ajo.
Muçaj i është drejtuar drejtpërdrejt avokates Adelina Hoxha, duke kërkuar që emri i personit të përmendur në kërcënime të bëhet i ditur publikisht dhe para organeve hetimore.
“Kërkoj nga avokatja Adelina Hoxha që konkretisht të deklarojë publikisht dhe pranë organeve hetimore se kush është me emër ai Haradinaj, në emër të të cilit apo të cilëve ka kërcënuar vrasësi i Arlinda Zekajt”, ka shkruar Muçaj.
Ajo ka kundërshtuar përdorimin e mbiemrit pa identifikim konkret, duke theksuar se atë e mbajnë edhe anëtarë të tjerë të familjes së saj.
“Ky është një mbiemër që përfaqëson sakrificën dhe dashurinë për atdhe, respektin ndaj shtetit dhe ligjit, e jo strehë horrash e kriminelësh”, ka theksuar Muçaj.









