20 persona që dyshohet se morrën pjesë në vrasjen e 107 civilëve gjatë luftës në Kosovë janë identifikuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Për të njejtit është ngritur aktakuzë dhe sipas organit të akuzës ata dyshohet se gjatë një operacioni në Gjakovë, gratë dhe fëmijët fillimisht janë ndarë nga burrat.

Më pas, gratë janë plaçkitur, duke u marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar, një pjesë në shtëpitë dhe oborret e tyre, e një pjesë tjetër në lokacionin e njohur si “Ura e Taliqit”.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se dyshohet që gjatë atij operacioni janë djegur edhe shtëpi të banorëve.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit janë: M.K., R.Ç., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A. Aktakuza i ngarkon ata për ngjarjet e viteve 1998-1999 në Komunën e Gjakovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë, me propozim për mbajtjen e gjykimit në mungesë, kundër 20 të pandehurve, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë.