Gazetari zviceran, Tobias Gafafer, nuk është përgjigjur në pyetjen e VOX Kosova se a pati presion nga Qeveria e Kosovës për të ndërhyrë në artikullin e tij, ku fliste për takime mes zyrtarëve të lartë të Kosovës e Serbisë në një qytet të vogël zviceran, Solothurn.
Në atë artikull në “Neu Zürcher Zeitung”, që u diskutua shumë të martën në Kosovë, thuhej se mes këtyre zyrtarëve që takoheshin, ishte edhe zëvendës-kryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi e Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriç.
Gazetari nuk është përgjigjur, por në anën tjetër e ka ndryshuar, pa njoftim fare, tekstin e tij.
Në pjesën ku thoshte se “mes zyrtarëve që merrnin pjesë në takime ishin zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e Ministri i Serbisë për Punë të Jashtme”, tash e ka shtuar edhe “megjithatë, të dy nuk u takuan kurrë direkt”.
Gafafer ka refuzuar t’i përgjigjet VOX-it edhe kur është pyetur se kush ishin pra politikanët shqiptarë e serbë të cilët ai i përshkruan në raporte “shumë familjare”, ndryshe nga sa duken kur flasin para kamerave për çështje që lidhen me dy shtetet.
Ai vetëm ka thënë se “dialogu zyrtar plotëson diskutimet zyrtare që zhvillohen nga BE-ja” dhe se “nuk mund të jap detaje të mëtejshme”.

Kujtojmë se në artikullin e publikuar të martën e 6 janarit në gazetë NZZ, nga gazetari Tobias Gafafer, shkruhej se si deri më tani nuk ishte ditur për prezencën e zyrtarëve të lartë si Bislimi e Gjuriç në takimet pak të raportuara të Solothurnit, për të cilat kishte marrë konfirmimin se ndodhin dy deri në tri herë në vit nga vetë organizatori i tyre, Qeveria Zvicerane.
Në artikull thuhej se dy politikanë të lartë shqiptarë e serbë ishin parë tek hynin në hotel bashkërisht pas një darke në qendrën e qytetit të Solothurnit dhe se natyra miqësore e “aq familjare” mes palëve i kishte lënë të surprizuar të gjithë ata që njohin natyrën e konfliktit dhe qëndrimet e linjës së ashpër kundër njëri-tjetrit në publik.









