Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka konfirmuar se gruaja e tij, Arjeta Islami Muja, është emëruar Drejtoreshë në Departamentin për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Mohoi se ka ndikuar në avancimin e saj.

“Ajo është Drejtore Divizioni që nga viti 2018 dhe vetëm në raste të caktuara, sipas ligjit, ka ushtruar përkohësisht detyrën e u.d. Drejtorit të Departamentit kur pozita ka qenë vakante. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ana ime”, shkroi Muja në profilin e tij në Facebook.

Muja tha se ““narrativa që lidhet me “momentum politik” apo me “rritje të standardit të jetesës” nuk ka asnjë bazë faktike””, pavarësisht se emërimi i saj u bë verën e vitit të kaluar, kur në krye të Ministrisë ishte Rozeta Hajdari e Vetëvendosjes.

Raportimi i plotë nga VOX Kosova:

Që nga vera e kaluar, standardi i jetesës për familjen e ministrit të ri të Bujqësisë, Armend Muja, është përmirësuar dukshëm.

Bashkëshortja e tij, Arjeta Islami Muja, është ngjitur në një nga postet kyçe brenda Ministrisë së Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Inovacionit – institucion që në Qeverinë Kurti 3 drejtohet nga Mimoza Kusari Lila.

Nga 24 korriku 2025, sipas vetë deklarimit të pasurisë për vitin 2026, ajo ka kapur pozitën e drejtoreshës në Departamentin për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, një post me peshë dhe pagë të majme.

Deri dje, ajo drejtonte vetëm një divizion që i raportonte këtij departamenti.

Sot, është në krye të tij.

Edhe pse prej vitesh pjesë e kësaj ministrie, avancimi i saj përkon në mënyrë të përkryer me fuqizimin politik të bashkëshortit dhe partisë ku ai bën pjesë.

Dhe në këtë sistem si ky i këtij lloji, momentumi politik nuk lexohet si rastësi, por si garanci e heshtur për ngjitje.