Deputetët e Komisionit Parlamentar për çështje të sigurisë, javën e ardhshme do të shkojnë për vizitë në Kampin e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë.
Kështu njoftoi deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, e cila paraqiti këtë kërkesë në Komision pas raportimit që kishte bërë VOX Kosova për gjendjen e mjerueshme të atij kampi, ku qëndron policia më elitare e Kosovës.
“Si rezultat, javën që hymë do të realizojmë këtë vizitë, për të parë nga afër kushtet në të cilat operojnë pjesëtarët e njësive speciale. Siguria jonë fillon nga kushtet dhe mbështetja që u ofrojmë atyre që janë në vijën e parë. Për këtë arsye, do të qëndroj pranë çdo kërkese dhe shqetësimi të policëve tanë, duke kërkuar përmirësim të vazhdueshëm të kushteve të punës dhe standardeve profesionale”, shkroi ndër të tjera Bytyqi.
Kujtojmë që, më 11 mars, VOX Kosova raportoi për gjendjen e mjerueshme të kampit të Njësive Speciale “Enver Zymeri”.
Më 12 mars, Policia e Kosovës doli me njoftim për media duke thënë se raportimi i VOX-it ishte manipulim.
Më 23 mars, kryeshefi i Inspektoratit Sanitar doli me deklaratë dhe konfirmoi se kanë filluar inspektim në kamp.
Më 24 mars, u konfirmua se Inspektorati Sanitar e ka gjetur gjendjen në kamp saktësisht siç ka raportuar VOX Kosova dhe i ndaloi përkohësisht nga përdorimi disa ambiente brenda kampit.









