Inspektorët e Inspektoratit Sanitar, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë kanë nisur inspektimin e ambienteve në Kampin e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, pas raportimit të VOX Kosova, ku përmes pamjeve u dokumentua gjendje e mjerueshme e ambienteve ku punojnë, ushqehen, stervisin e jetojnë policët më elitë të Kosovës.
Pavarësisht se Policia, përmes një reagimi tentoi ta manipulonte situatën, duke provuar ta përgënjeshtrojnë raportimin, përkundër se gjithçka ishte e mbështetur me pamje, publikimi tashmë ka filluar të jap efektin e vet.
Raport përfundimtar nuk ka akoma nga Inspektorët Sanitarë, por siç na tha Kryeinspektori, Ibrahim Tërshnjaku, inspektimi ka nisur menjëherë pas raportimit të VOX Kosova.
“Në momentin e parë që ju keni bërë pyetje, ne paraprakisht i kemi dërguar inspektorët. Kur të kryhet komplet kampi, do të keni raportin e detajuar. Zyra për informim, mandej zyra për informim sipas rregullave, ju dërgon juve. Nuk ia kemi lënë ne rastësisë, sepse e kemi obligim ligjor. Çështja e transparencës duhet të jetë shumë e lartë.” tha ndër të tjera Tërshnjaku.
Pra, për shkak se inspektimi nuk ka përfunduar akoma, detaje nga gjetja e tyre nuk i janë dhënë zyrtarisht redaksisë por në kushte anonimiteti, zyrtarë policorë na janë drejtuar me mesazhe.
Dhe ngjan se edhe inspektorët janë shokuar nga gjendja aty.
“Në kampin “Belvedere” kanë ardh inspektoret e sanitarisë edhe i kanë mbyllë (blloku) disa ëc dhe banjo për shkak të gjendjës së tmerrshme higjenike. Gjithashtu edhe kuzhinës i ka dhënë afat një javë me i përmisu disa gjëra për të njejtat arsye, pra higjenike. Përndryshe as kushtet minimale nuk i ka plotësu as ajo sipas raportit nga inspektori. Si mundësi e fundit, inspektori ka thënë që këtë kamp me mbyllë tëresisht për shkak të rrezikimit të shëndetit të policëve” thotë zyrtari anonim.
VOX Kosova ka marr qëndrim për këtë nga Kryeministri, Albin Kurti e nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai që nuk është bërë i gjallë pas krejt kësaj situate është Ministri që në fakt do të duhej t’i interesonte më së shumti sepse Policia është kompetencë e tij, ai i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministër, asnjëherë nuk është vonë t’i përvisheni punës dhe që mjetet e ndara që nga viti 2024 më në fund të mos mbesin vetëm në letër, por të shndërrohen në mbështetje konkrete për Policinë e Kosovës.
Sikur energjinë që e shpenzoni në propagandë, ta koncentronit në kryerjen e punëve, mbase nuk do të kishte nevojë fare për raportimin e gjendjes në kamp, sepse do të ishte rregulluar moti.








