Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ka votuar është pyetur nga gazetarët për ndonjë ndikim të mundshëm të rezultatit të zgjedhjeve lokale në ato nacionale, teksa ka theksuar se për zgjedhjet nacionale vendosin partitë politike.

“Këto janë procese të ndara, natyrisht që zgjedhjet komunale nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cikat po kalojmë. Zgjedhjet nacionale kurdo që do t’i kemi, kjo do të varet nga partitë politike që përfaqësohen në Kuvend”, tha Osmani para gazetarëve.

Ajo theksoi se qytetarët sot përfundimisht vendosin jo vetëm se kush do t’i udhëheqë komunat ku ata jetojnë, por në të njëjtën kohë vendosin për një të ardhme më të mirë për fëmijët.

“Ata vendosin për më shumë mundësi për komunat ku jetojnë. Shpresoj që secili qytetar me të drejtë vote do ta shfrytëzojë këtë të drejtë dhe do të dalë sot në votime”, shtoi.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëm 1.98% e qytetarëve me të drejtë vote kanë ushtruar të drejtën e tyre qytetare deri tani.

Nga gjithsej 1 milion e 316 mijë e 672 qytetarë me të drejtë vote në 18 komunat ku po zhvillohet balotazhi, vetëm 26 mijë e 86 persona kanë votuar deri më tani.

Komunat ku zhvillohet balotazhi janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.