Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre, pasi që ka votuar në Fakultetin Ekonomik.
“Sot vendosin ata që votojnë, prandaj edhe u bëj thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike ta përdorin mundësinë qytetare, të përcaktohen për përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Republikës në legjislaturën e 11-të”, ka thënë Kurti për gazetarët.
Sa më e lartë, siç theksoi ai, “të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre”.
Procesi i votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ka nisur në të gjithë territorin e Kosovës, kanë njoftuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në konferencën e parë për media në lidhje me procesin zgjedhor.
“Materiali zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha qendrat e votimit. Gjithashtu, ju ftojmë që duke u mbështetur në informacionet e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vendin tonë”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.








