Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje do të mblidhet sot, duke filluar nga ora 11:00, për të votuar mandatarin e ri për Kryeministër.
Kjo mbledhje vjen pas takimit që kreu i VV-së, Albin Kurti, pati me Presidenten Vjosa Osmani – një ditë para se të përfundojë afati kushtetues kur Osmani duhet të vendos për mandatarin e dytë apo shpalljes së zgjedhjeve.
Kryetari i Komunës së Kamenicës nga radhët e VV-së, Kadri Rahimaj, para hyrjes në mbledhje të Këshillit të VV-së, tha se Kurti partia ku ai bën pjesë e ka caktuar emrin e mandatarit – Kurtin.
“Nuk ka shumë nevojë për diskutim në këtë pikë, ne e kemi kandidatin për kryeministër. Në rregull jemi për atë pjesë ne vazhdojmë me procedurat tjera të brendshme dhe do të bëhemi gati për proceset tjera”, deklaroi Rahimaj.
Ndryshe, të mërkurën, më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja mund të mandatojë një tjetër emër për kryeministër ose të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Ani pse Kurti, nuk i pati votat në tentimin e parë më 26 tetor, në takimin e presidentes me krerët e partive politike kërkoi kohë.
Nga ana tjetër, partitë opozitare kanë deklaruar se nuk kanë numrat dhe kanë kërkuar që sa më parë, në dhjetor, vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.









