Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka treguar se deri në ora 13:00, në përfaqësitë diplomatike, kanë ushtruar votën 36.89% e votuesve të regjistruar, që i bie 7 mijë e 79 votues nga gjithsej 19 mijë e 187.

Elezi ka thënë se nuk ka pasur raportime për ndonjë problem serioz, veç disa paqartësive në lidhje me procedurat dhe dokumentet për votim.

“Deri më tani s’ka ndonjë pengesë që do ta dëmtonte integritetin e votimit. Ka ndoshta paqartësi rreth votimit e procedurave. Por jemi në kontakt dhe po jepen udhëzime vazhdimisht”, ka deklaruar Elezi.

Kujtojmë se procesi i votimit në përfaqësi diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare po zhvillohet këtë të shtunë. Votimi do të jetë i mundur në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme të botës.