Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se po vazhdon procesi i numërimit të votave nga votimi jashtë Kosovës, si dhe vlerësimi i pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u zhvilluar numërimi i fletëvotimeve nga votimi në 30 përfaqësi diplomatike, proces që ka nisur pasditen e 11 qershorit.

Sipas të dhënave të fundit, deri të premten në orën 09:00 janë numëruar 13 nga gjithsej 47 vendvotime të hapura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Në votimin e organizuar më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike në 18 shtete të ndryshme, nga 27 mijë e 724 qytetarë të regjistruar kanë votuar 22 mijë e 860, apo 82.46 për qind.

Paralelisht me këtë proces, në QNR po vazhdon edhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Ky proces ka filluar më 9 qershor dhe përfshin të gjitha pakot e sjella deri më tani në Kosovë.

Sipas Elezit, deri në fund të ditës së enjte janë shqyrtuar rreth 42 mijë pako, prej të cilave 40 mijë e 414 janë aprovuar, ndërsa 1 mijë e 447 janë refuzuar.

Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që u dërgohet votuesve të regjistruar nga KQZ-ja. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 1 mijë e 320 pako.

KQZ ka sqaruar se procesi i vlerësimit ka për qëllim verifikimin nëse pakot janë dërguar nga votues të regjistruar. Pas përfundimit të këtij procesi do të publikohet numri përfundimtar i pakove që do t’i nënshtrohen numërimit.