Dega e PDK-së në Fushë Kosovë ka ngritur dyshime për mënyrën e votimit të anëtarit të Listës Serbe në Kuvendin Komunal, duke njoftuar se ai po voton në të njëjtën linjë me pushtetin lokal.
Përmes një statusi, PDK-ja e Fushë Kosovës ka thënë se në disa seanca të njëpasnjëshme, anëtari i Listës Serbe ka votuar pro pikave të propozuara nga pushteti, ndërsa, sipas tyre, ka munguar mbështetja për propozime konkrete të opozitës.
Për këtë veprim, kanë bashkëangjitur edhe fotografi nga mbledhja e Kuvendit të Komunës.
Si shembull, PDK-ja ka përmendur propozimin për mbështetjen me 100 euro për familjet që kanë më shumë se një fëmijë në kopshte private.
Sipas PDK-së, ky propozim nuk është mbështetur nga anëtari i Listës Serbe, i cili ka votuar në të njëjtën linjë me pushtetin.
“Është kjo thjesht rastësi në votim, apo kemi të bëjmë me një bashkërendim politik në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës?”, ka pyetur PDK-ja.
Partia opozitare ka paralajmëruar se do t’i bëjë publike votimet dhe qëndrimet konkrete të anëtarëve të Kuvendit Komunal, duke thënë se qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush i mbështet dhe kush i kundërshton propozimet e tyre.
Postimi i plotë i degës së PDK-së në Fushë Kosovë:
Lista Serbe në linjë me Lëvizjen Vetëvendosje në Fushë Kosovë?
Është e çuditshme dhe njëkohësisht shqetësuese që në seanca të njëpasnjëshme të Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, anëtari i Listës Serbe po voton në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e pushtetit.
Në të gjitha pikat e propozuara nga Vetëvendosje, vota e tij është në përputhje me qëndrimin e pushtetit. Por kur vjen puna te propozimet konkrete në interes të qytetarëve, situata ndryshon.
Propozimi i PDK-së për mbështetjen prej 100 euro për familjet që kanë më shumë se një fëmijë në kopshte private nuk mori votën e anëtarit të Listës Serbe. Ai votoi në linjë me pushtetin.
Kjo ngre një pyetje të thjeshtë:
A është kjo thjesht rastësi në votim, apo kemi të bëjmë me një bashkërendim politik në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës?
Qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi politike. Votat në Kuvend duhet të shërbejnë për interesin e qytetarëve, jo për interesa të pushtetit.
Ne do t’i bëjmë publike votimet dhe qëndrimet konkrete, sepse qytetarët kanë të drejtë të dinë kush voton për ta dhe kush voton kundër propozimeve që synojnë t’i ndihmojnë ata.









