Paneli i Trupit Gjykues që dënoi me 81 vjet burg krerët e UÇK-së në Hagë, ka përjashtuar Gjykatat e Kosovës të departamentit civil si autoritet që do të mund të përcaktonin një dëmshpërblim për viktimat e pretenduara të rastit.

Me në krye gjyqtarin Charles Smith, ky panel ka marrë vendim që të përcaktojë vetë një shumë përmes së cilave do të kompensohen viktimat e pretenduara.  Kësisoj, paneli ka aprovuar argumentin e Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave, i cili thoshte se “sistemi i drejtësisë në Kosovë është i korruptuar”.

“Mbrojtësi i Viktimave dha shembuj të mangësive të tjera të drejtësisë civile në Kosovë, përfshirë kohëzgjatjen e procedurave, ekzistencën e një niveli të caktuar të korrupsionit dhe ndërhyrjeve brenda sistemit juridik të Kosovës, pamjaftueshmërinë e burimeve për ofrimin e ndihmës juridike, si dhe zbatimin e afateve të parashkrimit. Për më tepër, Mbrojtësi i Viktimave parashtroi se VPP-të përfshijnë [REDAKTUAR] dhe se për ta do të ishte shumë e vështirë të kërkonin dëmshpërblim përmes procedurave gjyqësore civile në Kosovë”, thuhet në arsyetimin e nxjerrë nga Paneli i Trupit Gjykues.

DOKUMENT:

Vendimin e tij, ky panel tutje e arsyeton nën pretendimin se sistemi i drejtësisë në Kosovë s’mund t’u ofrojë kushte të plota anonimiteti viktimave të pretenduara, ashtu siç kanë bërë Dhomat e Specializuara.

Në këtë formë dhe sipas vendimit, i njëjti Trup Gjykues që dënoi krerët e UÇK-së, “do të zhvillojë procedurat për dëmshpërbilm dhe do të nxjerrë një urdhër për dëmshpërblim”.

Vendimi gjithashtu “urdhëron mbrojtjen të paraqesë çdo kundërshtim lidhur me këtë çështje deri të martën, më 22 shtator 2026”.

Tutje, Paneli i Trupit Gjykues ka kërkuar që avokati i viktimave të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim deri më 14 tetor 2026.

DOKUMENT:

Urdhra dëmshpërblimi nga Dhomat e Specializuara ishin nxjerrur më herët në rastin e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës. Për “Calin” urdhri fillestar ishte 207 mijë euro dëmshpërblim ndaj viktimave, gjersa 208 mijë euro, sipas gjykatësve, Pjetër Shala i detyrohej viktimave të tij.

Në rastin e Pjetër Shalës, çështja e zhdëmtimit të viktimave ka përfunduar në dhomat e Kushtetueses në Speciale.

Në çështjen “06” kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit janë gjithësej 156 viktima pjesëmarrëse në procedurë.