Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka lavdëruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke i thënë se po bën një punë të shkëlqyer.

Këto komente, Trump i ka bërë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes, e cila është duke u mbajtur në Washington D.C.

“Presidentja Osmani e Kosovës. Presidente, ju faleminderit shumë. Punë e shkëlqyer, punë vërtet e shkëlqyer që po bëni gjithashtu. Ju faleminderit shumë”, tha shkurt Trump kur foli për Osmanin.

Osmani është duke marrë pjesë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes me ftesë të Trump-it. Prezent nga Ballkani Perëndimor është edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Më 22 janar, në Davos të Zvicrës, u themelua Bordi i Paqes. Nga Ballkani Perëndimor, shteti i vetëm si anëtare themeluese ishte Kosova, që u përfaqësua nga Presidentja Osmani.

Në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes morën pjesë 19 shtete: Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia.