“A duhet Serbia të vazhdojë rrugën përpara drejt BE-së në këto rrethana?”, e ka pyetur eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky, Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.
Këtë pyetje, Zdechovsky e ka bërë në platformën X, pas deklaratës fashiste të Ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezana Paunoviç, e cila tha se “po të isha Slobodan Millosheviç, do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998”.
“E pyeta Marta Kos: Ju thatë se u tronditët nga deklarata e një ministreje serbe, e cila tha se, po të ishte në pozitën e Slobodan Millosheviç-it në vitin 1998, do ta kishte kryer spastrimin etnik të Kosovës. A përfundon çështja me kaq? Po flasim për një Ministre në Qeverinë e një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shkroi ai.
Ai e pyeti zyrtaren e lartë të BE-së se “a keni ndërmend të shkoni përtej dënimit verbal?”.
“Nëse përgjigjja për të dyja pyetjet është po, zonja Marta Kos, si e pajton Bashkimi Evropian këtë me angazhimin e tij për mbrojtjen e vlerave themelore dhe demokratike?”.
Çfarë mesazhi dërgon, tha eurodeputeti çek, “nëse retorika që duket se justifikon spastrimin etnik nuk sjell asnjë pasojë politike për një shtet kandidat për anëtarësim në BE?”.
Për shkak të deklaratës fashiste, Ministrja serbe u shpall non-grata në Kosovë. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nënshkroi të martën vendimi ku i ndalohet përjetësisht Paunoviç-it hyrja në Kosovë.









