“Nëse një ditë, siç është paralajmëruar, mund të kthehet në politikë; ajo do të ishte situatë tjetër” është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur u pyet çka nëse Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, rikthehet në garë zgjedhore si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këto komente Kurti i bëri në konferencën për shtyp këtë të premte, të cilën e organizoi për të kundërshtuar dekretin e presidentes dhe zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare.

Sipas Kurtit, dekreti për shpërndarjen e Kuvendit, që u bë nga Presidentja Osmani pas dështimit të seancës për zgjedhjen e të parti të shtetit për shkak të kuorumit, “nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”.

Presidentja Osmani, këtë të premte mbajti një takim me krerët e partive politike për të diskutuar procesin e ardhshëm zgjedhor që pritet të rrjedhë pas shpërndarjes së Kuvendit nga Presidentja në një konferencë për media mëngjesin e së premtes.

Vetëm Lëvizja Vetëvendosje nga partitë shqiptare parlamentare mungoi në këtë takim.

Para këtyre zhvillimeve, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për validimin e kushtetutshmërisë së procesit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke kërkuar masë të përkohshme nga afatet kushtetuese.