“Nuk duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet.”

Kështu e përfundoi fjalinë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kur u pyet për marrëveshjen e bashkëpunimit të arritur ndërmjet Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut, kreut të LDK-së.

Kurti la të kuptohet se nuk duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet, pasi sipas tij, partia që ai udhëheq është ajo që ka marrë mbështetjen e popullit.

“Të gjithë ata që kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen, le të punojnë me krejt çka dinë e munden dhe iu dëshiroj sukses. Por duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, as ndonjë pretendent për çfarëdo posti; për këtë vendos populli. Dhe mos harroni si ka vendosur populli para katër muajsh. Populli ia dha Vetëvendosjes. Njerëzit kanë dëshira dhe kjo është normale, por s’duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet”, tha Albin Kurti.

Këtë deklaratë, kryeministri në detyrë e bëri në nisjen e punimeve për rikonstruktimin e rrugës rajonale R119, segmenti Kijevë–Malishevë.