Edhe një barrë e re do t’u shtohet qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Bëhet fjalë për një tarifë që do të hyjë në fuqi nga 1 shtatori.
Pra, përpos tarifës së shkyçjes, qytetarët do të paguajnë edhe për rikyçjen.
“KESCO, në cilësinë e Furnizuesit të Shërbimit Universal, informon konsumatorët se ka pranuar njoftim zyrtar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) lidhur me fillimin e zbatimit të tarifës së rikyçjes, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026, në përputhje me Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE)”, njoftoi KESCO.
Për t’i informuar konsumatorët me kohë, kompania ka bërë të ditur se njoftimi do të publikohet përmes kanaleve të saj zyrtare të komunikimit dhe do të përfshihet edhe në faturat mujore që do të shpërndahen gjatë muajit gusht.
Në fund, KESCO u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që të shmangin procedurat e shkyçjes, si dhe kostot shtesë që lidhen me shkyçjen dhe rikyçjen e furnizimit me energji elektrike.
Tarifa aktuale e shkyçjes është 17.07 euro.









