40 mijë euro është gjoba e radhës e shqiptuar ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike(KEDS) për shtatë njehsorë të rrymës me afat të skaduar. Gjoba është shqiptuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit pas raporteve të marra nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut.

Edhe në verifikimet paraprake të njehsorëve të marrë për testim, është konstatuar se një numër i tyre nuk kanë afat valid. Për rrjedhojë, janë shqiptuar gjoba duke nisur me 30 mijë euro, 90 mijë euro dhe 35 mijë euro.

Hulumtimet dhe raportimet e mediave treguan se njehsorët elektrikë të KEDS-it kanë devijime kohore dhe për rrjedhojë matja e shpenzimeve të rrymës bëhet gabim.

Në mostrat e prezantuara doli se një numër i madh i njehsorëve janë prapa me kohën reale, çka nënkupton se kur konsumatorët shpenzojnë me përllogaritjen e tarifës së lirë, në fakt ata faturohen me çmime normale.

Në terren, KEDS ka vazhduar në formë intensive ndërrimin e matësve.