Prokuroria Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke zhvilluar sot një aksion në lidhje me manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë në Malishevë.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Drin Domi, konfirmoi për VOX Kosova se aksioni është ndërmarrë për falsifikim të rezultateve të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit dhe se janë duku u intervistuar disa persona.

“Ka të bëj me aksionin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë mbi falsifikimin e rezultateve zgjedhore gjatë numërimit brenda subjekteve politike, për deputetë në komunën e Malishevës”, tha Domi.

Malisheva, pas Prizrenit, është vendi i dytë ku u shpërfaqën manipulime të votave të kandidatëve për deputetë. Ashtu sikur në Prizren, edhe këtu manipulime pati tek të gjitha partitë.

Në lidhje me manipulimet e votave në Prizren, të premten u arrestuan 109 persona, prej të cilëve 23 përfunduan në paraburgim.

Hetimi i manipulimeve të votave të kandidatëve për deputetë ka nisur edhe në komuna tjera.