Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave dhe sigurimin e provave në lidhje me manipulimin e votave të kandidatëve për deputetë në Drenas, pasi që gjatë rinumërimit u konstatua kjo dukuri.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura me datë 28.12.2025, ka vërejtur mospërputhjet lidhur me rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të procesit të rinumërimit në komunën e Drenasit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Marrë parasysh këtë rrethanë prokurori i shtetit sot ka lëshuar autorizim Policisë së Kosovës me qëllim grumbullimin e informatave dhe evidentimin e shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimin e provave lidhur me këtë çështje”, shtohet.
Aty theksohet se Prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër procesin e rinumërimit edhe në komunat tjera që bien në kompetencë të kësaj prokurorie, ndërsa thonë se pas përfundimit të këtij procesi do të analizohen të gjitha rrethanat dhe shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve tjera për grumbullimin e informatave.
Para disa ditësh, edhe Prokuroria Themelore në Gjakovë filloi hetimet për manipulimet e votave në Malishevë, ndërsa në Prizren u arrestuan 109 persona të premten për këtë dukuri.









