Prokuroria Themelore në Pejë, ka njoftuar sot (e mërkurë) se ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me procesin e numërimit të votave të kandidatëve brenda subjekteve politike.
“Autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Bëhet e me dije se ka filluar procesi i intervistimit të komisionerëve në lidhje me manipulimin e votave, “me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”.
“Prokuroria Themelore në Pejë, në koordinim me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësve”, potencohet në njoftim.
Pasi që rinumërimi i votave shpërfaqi manipulime tek votat e kandidatëve për deputetë brenda partive, Prokuroria nisi hetimet për këtë fenomen, duke intervistuar e ndaluar komisionerë në qytete të ndryshme, si në Prizren, Malishevë, Mitrovicë e Viti.









