15 kryesues dhe 43 komisionerë janë intervistuar nga organet e rendit si të dyshuar për manipulim të votave në Malishevë, ka thënë Kryeprokruori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Enis Gashi.
Në një konferencë për media pas përfundimit të aksionit të përbashkët mes Prokurorisë dhe Policisë, Gashi theksoi se në Malishevë janë manipuluar mbi 17 mijë vota.
“Në aksionin e sotëm, nga 18 kryesues dhe 50 komisionerë janë intervistuar gjithsej 15 kryesues dhe 43 komisionerë. 15 kryesues aktualisht janë të ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor Prokuroria do të vendos në lidhje me masën e sigurisë”, tha Gashi në një konferencë për media të mërkurën.
“Po ashtu, për 43 komisionerët e tjerë, jemi në vlerësim e sipër në lidhje me ndonjë masë eventuale, pasi që në këtë rast kanë qenë të angazhuar dy prokurorë të departamentit për krime të rënda dhe deri më tani kemi mbledhur të gjitha provat materiale dhe ato personale kryesore, por që hetimi do të vazhdojë edhe më tutje edhe për kryesuesit edhe për komisionerët e tjerë, të cilët sot, për arsye të ndryshme, ose kanë qenë jashtë vendit… nuk kemi arrit që t’i kemi prezent në drejtorinë rajonale të policisë, për të njëjtit do të vazhdohet me tutje me procedurë sikur kemi mbledh provat deri më sot”, shtoi ai.
Në Malishevë kanë qenë 75 vendvotime dhe nga këto vendovotime, Kryeprokurori i Gjakovës theksoi se 9 mijë e 57 vota janë të shtuara dhe 7 mijë e 996 janë vota të hequra.









