Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se para se Lëvizja Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120 për qind e numrit të mundshëm të votuesve.

“Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së. Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet ‘kapeni hajnin’, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”, shkroi Murati në Facebook.

Ai ka akuzuar PDK-në se i ka “detyruar” dy herë simpatizantët e saj për të festuar në Mitrovicë të Jugut edhe pse kandidati i kësaj partie për kryetar Arian Tahiri i humbi zgjedhjet.   

“Partia që do të hyjë në histori se i nxori simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin. Turp”, shtoi.