Mbi 60 persona janë intervistuar, 18 prej tyre janë ndaluar për 48 orë të mërkurën në Malishevë, në një aksion të Policisë së Kosovës në lidhje me manipulimin e votave në zgjedhjet e fundit nacionale, ka kuptuar VOX Kosova nga burimet brenda organeve të rendit.

18 personat që janë ndaluar për 48 orë, janë kryetarë të komisioneve të qendrave të numërimit.

Për komisionerët e tjerë, të cilët janë intervistuar, ende nuk është marrë vendim. Policia është në pritje të vendimit të Prokurorisë.

Sipas burimeve të VOX-it, anëtarët e komisioneve, në disa raste gjatë intervistimit nga organet e rendit kanë deklaruar se nuk kanë pasur ndonjë detyrë të ndarë në mënyrë strikte nga Kryetari i Komisionit të dhomës së numërimit, por janë marrë vesh me fjalë se secili ta kryej nga një detyrë, nganjëherë edhe të njeri tjetrit.

Ky aksion i Policisë, që është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, vjen disa ditë pasi që organi i akuzës autorizoi mbledhjen e provave, duke qenë se rinumërimi i votave shpërfaqi manipulimet të votave të kandidatëve për deputetë.

Malisheva, pas Prizrenit, është vendi i dytë ku u shpërfaqën manipulime të votave të kandidatëve për deputetë. Ashtu sikur në Prizren, edhe këtu manipulime pati tek të gjitha partitë.

Në lidhje me manipulimet e votave në Prizren, të premten u arrestuan 109 persona, prej të cilëve 23 përfunduan në paraburgim.

Hetimi i manipulimeve të votave të kandidatëve për deputetë ka nisur edhe në komuna tjera.