Prokuroria Themelore në Ferizaj, departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve me inicialet Y.S, B.V, Sh.B, dhe R.R, për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” në Shtime për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

“Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit: Y.S, B.V, Sh.B dhe R.R, më datë 30.12.2025, në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, gjatë procesit të numërimit të votave për vendvotimet dhe në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe me dashje direkte, në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat e përcaktuara me legjislacionin zgjedhor dhe aktet nënligjore të KQZ-së…”.

“…kanë ndërmarrë veprime të koordinuara dhe të ndërlidhura, me qëllim të shtrembërimit të rezultateve të votimit, në atë mënyrë që i pandehuri Y.S, në cilësinë e dëftuesit të votave, ka lexuar dhe komunikuar në mënyrë të pasaktë dhe të pakontrolluar votat nga fletëvotimet, i pandehuri B.V., duke përdorur qasje ekskluzive në sistemin elektronik të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka regjistruar të dhëna të pasakta në sistem, pa lejuar mekanizma verifikimi dhe kontrolli nga anëtarët e tjerë…”.

“…ndërsa të pandehurit Sh.B dhe R. R., edhe pse prezent dhe pjesëmarrës aktiv në procesin e ndarjes dhe verifikimit të fletëvotimeve, me vetëdije kanë dështuar të ndërmarrin veprime për të parandaluar ose korrigjuar parregullsitë evidente, duke pranuar dhe mundësuar zhvillimin e një procesi të parregullt dhe të pakontrolluar, me ç’rast, përmes këtij mekanizmi të organizuar të veprimit dhe mungesës së kontrollit të ndërsjellë, janë regjistruar rezultate të pasakta të votimit për kandidatët, të cilat janë konstatuar si mospërputhje thelbësore gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke cenuar drejtpërdrejt integritetin, besueshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime, sipas organit të akuzës, të dyshuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit” nga neni 216 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas rinumërimit të plotë të votave, u konstatuan manipulime të votave të kandidatëve për deputetë brenda partive.

Pas kësaj, në shumicën prej qyteteve të Kosovës Prokuroritë përkatëse ndërmorën aksione duke ndaluar dhe intervistuar komisonerët.