22 persona janë ndaluar për 48 orë pas intervistimit nga organet e rendit në lidhje me manipulimin e votave të zgjedhje të 28 dhjetorit në Gjakovë.
Lajmin për VOX Kosova e ka konfirmuar Shehremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës. Ai tha se të ndaluarit dyshohen për falsifikim të rezultatit zgjedhor.
“Sektori Rajonal i Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, sot ka intervistuar 22 persona. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të njëjtit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale ‘falsifikim i rezultateve të votimit’ gjatë procesit të fundit për zgjedhjet parlamentare në Gjakovë.
Njoftim lidhur me keqpërdorimin e votave gjatë procesit të numërimit në regjionin e Ferizajt
Në lidhje me manipulimet e votave, gjatë ditës edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është autorizuar Policia e Kosovës që të intervistohen kryesuesit e qendrave të numërimit për komunën e Ferizajt dhe Hanit të Elezit, si dhe komisionerët dhe kryesuesit në cilësinë e të dyshuarve, në komunën e Shtimes.
Ndërsa, sa i përket komunës së Kaçanikut dhe Shtërpcës, nga Prokuroria kanë thënë se janë ende në pritje të raporteve përfundimtare nga ana e Policisë së Kosovës.









