Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Hagë. Ajo, ndër të tjera, do ta vizitojë ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në qendrën e paraburgimit në Hagë, ka njoftuar MEPJ-ja.
Në Hagë, Spiropali do të pritet nga Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, me të cilin do të firmosin një deklaratë të përbashkët për fuqizimin e partneritetit në kontekstin e mbështetjes për integrimin evropian të vendit.
“Spiropali do të falënderojë Ministrin e Jashtëm për rekomandimin pozitiv që qeveria e tij ka dërguar në parlamentin holandez për çeljen brenda Nëntorit të grupkapitullit 5 të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, njoftohet se takimi do të fokusohet në mundësi të reja bashkëpunimi në fushat e ekonomisë, sigurisë dhe shkëmbimeve akademike.









