Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë pune në Riad të Arabisë Saudite, ku është ftuar nga princi i Kurorës së Arabisë Saudite Muhamed bin Salman, për të marrë pjesë në Forumin Future Investment Initiative (FII).

Kështu ka njoftuar Presidenca e Kosovës.

“Presidentja Osmani ka arritur në Riad të Arabisë Saudite, me ftesë të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, për të marrë pjesë në Future Investment Initiative (FII)”, thuhet në komunikatën për media.

Ky forum është i njohur si një nga ngjarjet më prestigjioze globale për investime dhe inovacion, mbledh udhëheqës botërorë, drejtues të korporatave më të mëdha ndërkombëtare, investitorë dhe ekspertë të teknologjisë e politikave publike, për të diskutuar idetë dhe strategjitë që do të formësojnë ekonominë dhe shoqëritë e së ardhmes.

Vizita e Osmanit në Arabinë Saudite vjen pasi që në Kosovë Albin Kurti, si i mandatuar nga presidentja për të krijuar Qeverinë e re, dështoi që t’i marrë 61 votat e nevojshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Pasi që Kurti dështoi t’i marrë votat e nevojshme, tani Osmani duhet që brenda 10 ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.

Në rast se as në përpjekjen e dytë nuk zgjidhet qeveria, e para vendit duhet të shpallë zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditësh.