Kryeministri britanik, Keir Starmer, do të mbërrijë në Pekin këtë të mërkurë në mbrëmje për një vizitë që synon forcimin e lidhjeve politike dhe ekonomike me Kinën, në një kohë kur marrëdhëniet mes vendeve perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara po bëhen gjithnjë e më të paqëndrueshme.
Gjatë udhëtimit drejt Kinës, në vizitën e parë të një udhëheqësi britanik që nga viti 2018, Starmer tha se Britania nuk mund t’i injorojë mundësitë ekonomike që ofron Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, ndërkohë që duhet të mbetet vigjilente ndaj kërcënimeve të mundshme të sigurisë.
“Nuk ka kuptim të fusim kokën në rërë dhe të sillemi sikur Kina nuk ekziston; është në interesin tonë të angazhohemi”, tha ai. “Do të jetë një udhëtim shumë i rëndësishëm për ne dhe do të bëjmë përparim real”.
Duke udhëtuar me një delegacion prej më shumë se 50 drejtuesish biznesi, Starmer do të takohet të enjten me presidentin Xi Jinping dhe kryeministrin Li Qiang, përpara se të udhëtojë të premten në Shangai për bisedime me drejtues vendorë të biznesit.
Vizita mund të shënojë një ndryshim kritik në marrëdhëniet mes Britanisë dhe Kinës pas vitesh përplasjesh të thella lidhur me shtypjen e lirive politike në Hong Kong nga Pekini, mbështetjen e Kinës për Rusinë në luftën në Ukrainë dhe akuzat e shërbimeve britanike të sigurisë se Kina spiunon rregullisht politikanë dhe zyrtarë.
Për Kinën, kjo vizitë përbën një mundësi për ta paraqitur veten si një partner të qëndrueshëm dhe të besueshëm në një kohë çrregullimi global.
Tensionet me Trumpin hedhin hije mbi vizitën e Starmerit
Udhëtimi vjen në një moment intensifikimi të diplomacisë mes vendeve perëndimore dhe Kinës, teksa ato përpiqen të mbrohen nga paparashikueshmëria e SHBA-së.
Vizita e Starmerit pason javë tensioni me Trumpin për shkak të kërcënimeve të tij për të marrë Grenlandën, kritikave ndaj marrëveshjes së Britanisë për t’ia dorëzuar sovranitetin e Arkipelagut Chagos — përfshirë një ishull me një bazë ajrore të rëndësishme SHBA–Britani — Mauritiusit, si dhe komenteve se aleatët e NATO-s shmangën luftimet në vijën e parë gjatë luftës në Afganistan.
Starmer do të mbërrijë vetëm pak ditë pasi Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa 100% ndaj mallrave kanadeze nëse kryeministri i atij vendi, Mark Carney, nënshkruan një marrëveshje tregtare me Kinën.
Megjithatë, Starmer këmbënguli se Britania mund të vazhdojë të forcojë lidhjet ekonomike me Kinën — pa zemëruar Trumpin — për shkak të historisë së gjatë të vendit të tij në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në.
“Marrëdhënia që kemi me SHBA-në është ndër më të ngushtat që kemi, në mbrojtje, siguri, inteligjencë, por edhe në tregti dhe shumë fusha të tjera,” tha ai.
Starmer u tregua i rezervuar për temat që do të diskutonte me udhëheqësit kinezë. Ai gjithashtu refuzoi të thoshte nëse do t’i kërkonte Kinës të ushtronte presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
I pyetur nëse Britania dhe Kina mund të arrijnë një marrëveshje që do të lejonte më shumë udhëtime pa viza, Starmer tha se shpreson të ketë “disa përparime” në këtë drejtim.
Starmer distancohet nga komentet e Carney-t
Starmer mbrojti vazhdimisht vendimin e tij për të vizituar Kinën, duke thënë se kjo do ta ndihmonte të realizonte planin e tij për nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e standardit të jetesës në Britani.
Megjithatë, strategjia e tij ka nxitur kritika të ashpra nga disa politikanë britanikë dhe amerikanë, të cilët thonë se ai po i nënvlerëson kërcënimet e sigurisë që vijnë nga Kina.
Starmer u distancua nga komentet e bëra nga Carney javën e kaluar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku ai tha se rendi global i bazuar në rregulla është një gjë e së kaluarës dhe u bëri thirrje fuqive të mesme të botës të bashkëpunojnë për të shmangur viktimizimin nga hegjemonia amerikane.
“Unë jam pragmatist, një pragmatist britanik që zbaton arsyen e shëndoshë,” tha Starmer, duke hedhur poshtë idenë se qeveria e tij duhet të zgjedhë mes SHBA-së dhe Evropës.