Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur të pezullojë përkohësisht programin e lotarisë “Green Card”.
Shkaku i këtij vendimi duket të jetë konfirmimi i autoriteteve se autori i dyshuar i sulmeve në universitetin Brown dhe atë MIT kishte hyrë në tokën amerikane e kishte marrë leje për banim të përherëshëm në SHBA, nëpërmjet këtij programi.
Vendimin e bëri të ditur Kristi Noem, sekretarja amerikane për siguri kombëtare, e cila tregoi për lajmin nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, ku theksoi se pezullimi është bërë me urdhër direkt të presidentit Trump.
“Ky individ i tmerrshëm nuk duhej të ishte lejuar kurrë të hynte në vendin tonë”, deklaroi Noem, duke iu referuar të dyshuarit, shtetasit portugez Claudio Neves Valente.
Neves Valenete, një portugez 48 vjeç, është i dyshuari kryesor për të shtënat me armë zjarri në universitetin Brown, si pasojë e të cilave humbën jetën dy studentë e u lënduan nëntë të tjerë. Valenete dyshohet të jetë edhe autori i vrasjes së një profesori të MIT.
Autoritetet amerikane njoftuan se Valente u gjet i pajetë mbrëmjen e së enjtes, duke ngritur dyshime se ai ka kryer vetëvrasje.
Bazuar në dokumentet e hetuesisë, Valente kishte qenë student në Brown në vitin 2000 dhe kishte qëndruar në Amerikë me vizë studentore.
Ai u pajis me vizë emigrimi në vitin 2017 nëpërmjet programi Diversity Visa Lottery e po atë vit mori edhe statusin e banorit të përhershëm.
Programi i lotarisë së vizave u krijua nga Kongresi amerikan dhe ofron deri në 50 mijë “Green Card” çdo vit për shtetas nga vende me përfaqësim të ulët emigrantësh në SHBA, kryesisht nga Afrika dhe disa vende evropiane.









