Edhe pse kishte paralajmëruar protesta e greva, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka vendosur të mos ndërmarrë veprime sindikale me nisjen e vitit të ri shkollor.
Kryetari i sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha për VOX Kosova se nuk do të organizojnë greva e protesta për shkak se “nuk kemi institucione dhe nuk kemi me kënd të dialogojmë”.
Shqetësimi kryesor mbetet furnizimi me libra. Jasharaj e cilësoi subvencionimin e prindërve për blerjen e teksteve si proces problematik, që po përsërit vështirësitë e viteve të kaluara. “Kemi frikë se edhe këtë vit librat do të mbërrijnë me vonesë, siç ka ndodhur viteve të kaluara, ku deri në tetor, disa nxënës s’i kanë siguruar librat”, tha ai.
Aktualisht, Jasharaj thotë se nuk e di se sa nxënës nuk i kanë siguruar tekstet mësimore, pasi që sot është dita e parë e vitit të ri mësimor. “Deri në fund të kësaj jave do të kemi informacione të plota”, pohoi.









