VITI I MBRAPSHT 2025-ta e bllokadës dhe zgjedhjeve, ekonomisë që ngec, çmimeve që fluturojnë dhe tensioneve që rriten me SHBA-të

Viti që nisi me premtime për stabilitet e ndryshim po përfundon me krizë e pasiguri.

VITI I MBRAPSHT 2025-ta e bllokadës dhe zgjedhjeve, ekonomisë që ngec, çmimeve që fluturojnë dhe tensioneve që rriten me SHBA-të

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina

Ky ishte një vit i poshtër për Kosovën.

Ashtu sikurse shënoi ditët e para me fushata e beteja politike, ashtu edhe po i afrohet fundit – me zgjedhje e beteja politike që po prodhojnë bllokadë rekorde në institucionet e Kosovës.

E në një univers tjetër, atë të vërtetin, qytetarët po përballen me një ekonomi që vetëm rrit çmimet.

Nesër, qytetarët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për zgjedhjet lokale, ndërsa prapa vetes kanë një palë zgjedhje nacionale që, pas tetë muajsh, ende nuk po arrijnë të prodhojnë institucione të reja.

Të premten, Kuvendi i Kosovës zgjodhi nënkryetarin e pestë – atë nga radhët serbe, por një veprim i tillë u kontestua nga shumica e deputetëve serbë dhe edhe nga ekspertë të kushtetutshmërisë dhe të punës së legjislativit.

Nuk ka ende informata nëse çështja do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, e cila është pyetur që nga prilli disa herë për hapat që duhet ndërmarrë për konstituim të Kuvendit. E kur është pyetur ka përjetuar edhe sulme politike direkte nga kreu Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe eksponentë të tij.

Që nga shkurti, kur përfunduan zgjedhjet nacionale, e deri tash, dhjetëra seanca të Kuvendit janë mbajtur me tentime pa rezultat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit e më pas të nënkryetarëve.

Por ato kulmuan në gusht me zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar dhe të premten, më 10 tetor, me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë.

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëroi se tash do të fillojë negociatat me deputetë e parti për një koalicion qeverisës. Manadatimin nga Presidentja tashmë e ka marrë.

Nga ana tjetër, ambasadat e vendeve të Quint-it nuk kanë nxjerrë asnjë fjalë, asnjë rresht për krejt çfarë ndodhi të premten.

Dhe as presidentja, që ishte e zëshme më herët në mbrojtje të argumenteve të Vetëvendosjes rreth nënkryetarit e konstituimit, nuk e tha një fjalë për procedurat në Kuvend.

Por, nëse gjatë këtij viti që po numëron javët e fundit – që filloi e do të mbarojë me zgjedhje e bllokadë – çfarë mbani mend tjetër?

Kosova u sfidua seriozisht me një ekonomi të rënduar nga rritja enorme e çmimeve të produkteve bazike dhe të tjerave.

Madje, sikur të mos mjaftonte, shteti u kujdes që qytetarëve t’ua rëndojë edhe faturën e rrymës, ndërkohë që kompanitë e tregtisë me energji po lulëzojnë.

Asnjë nga projektet madhore nacionale nuk kanë përfunduar dhe të reja nuk kanë nisur.

Profesionistë të fushave dhe punëtorë të zanateve të ndryshme vazhdojnë ta shohin Evropën si mundësinë e tyre për jetë.

Kosova ende është nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian – që kanë edhe peshë milionëshe projektesh.

Për të mos mjaftuar me kaq, institucionet e Kosovës – kreu i Qeverisë së saj – kanë çuar raportet me aleatin kryesor e strategjik, Amerikën, në pikën më të keqe.

SHBA-të, për shkak të veprimeve të Qeverisë së Kurtit në Kuvend dhe deklaratave sulmuese ndaj Gjykatës Kushtetuese, pezulluan Dialogun Strategjik.

Në një përpjekje për ta relativizuar këtë akt, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se u “pezullua diçka që nuk kishte nisur ende” dhe madje e paraqiti Amerikën si gënjeshtare për arsyet e ndaljes së dialogut strategjik, duke thënë se arsyet ishin sundimi i ligjit në veri.

Ai shkoi më larg, duke thënë se përpjekjet e SHBA-ve për ta larguar Serbinë nga ndikimi rus nuk janë problem i tij, ndërkohë që fill pas kësaj, i kërkon ndihmë BE-së dhe të tjerëve të reagojnë për përzierjet e Serbisë në zgjedhjet në veri.

E derisa Kosova po sillet në një rreth që nuk shihet dalje, në Hagë katër figura të rëndësishme të luftës për liri dhe pjesëmarrës në themelimin e shtetit po përballen ende me një gjyq që e sheh UÇK-në si kriminale. Shteti, në anën tjetër, ka mbetur vetëm si spektator në atë proces.

Kur e diela të përfundojë, beteja e re do të jetë sërish zgjedhore – në raundet e dyta në shumë prej komunave, ku pritet të ketë sërish gara.

Dhe kur edhe raundi i dytë të përfundojë, në horizont janë me gjasë edhe zgjedhjet e reja nacionale – pasi nuk ka ende asnjë shenjë se një qeveri e re do të mund të krijohet.

Viti që nisi me premtime për stabilitet e ndryshim po përfundon me krizë e pasiguri.

Në një Kosovë që rrotullohet rreth vetes, politika ka humbur çdo lidhje me realitetin e qytetarëve.

Dhe kur, sidomos pushteti, por edhe opozita, garojnë kush do ta bllokojë më shumë vendin, e vetmja palë që humb janë qytetarët.

LAJME

RRENCI I LIRË Rrena e paskrupullt e Albin Kurtit në intervistë me gazetarin që veç rri e shikon

PROTESTA PËR UÇK-NË A rrezikojnë ish-ushtarë të UÇK-së të arrestohen në Maqedoni? – flet Izet Mexhiti

STANDARDET E DYFISHTA Në Evropë për rend e ligj, në Kosovë për ministra me aktakuza, të paprekshëm e kundër drejtësisë

FAKT YOU

RRENCI I LIRË Rrena e paskrupullt e Albin Kurtit në intervistë me gazetarin që veç rri e shikon

STANDARDET E DYFISHTA Në Evropë për rend e ligj, në Kosovë për ministra me aktakuza, të paprekshëm e kundër drejtësisë

SHUPLAKË VETËS Duke dashur ta dëmtojë opozitën, Armend Muja përfundoi duke e lëvduar si asnjë herë tjetër

DHOMA SPECIALE

MBI 400 MILIONË Shumat marramendëse që BE-ja ia dha Speciales për 9 vjet

SHTET N’VETI Për 9 vjet, rreth 406 milionë euro buxhet për Gjykatën Speciale

DËSHMIA AMERIKANE Hill thotë se ndjeu përgjegjësi morale të shkojë në Hagë në anën e Thaçit

INTERVISTA

INTERVISTË ME ALI AHMETIN – HAGA DHE ZGJEDHJET NË MAQEDONI

“NGA KUSH U PAGUA?” Xhavit Haliti kërkon dorëheqjen e Dimal Bashës

Intervistë me Avdullah Hotin: Albin Kurti do kaos