Zyrtarët shëndetësorë në një numër gjithnjë në rritje vendesh u mobilizuan të enjten për të gjurmuar personat që kishin lidhje me shpërthimin vdekjeprurës të hantavirusit në një anije turistike. Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikoi një përhapje “të kufizuar” të virusit nëse zbatohen masat e shëndetit publik.

“Kjo nuk është Covid, kjo nuk është grip,” tha Dr. Maria Van Kerkhove, drejtoreshë për përgatitjen ndaj epidemive dhe pandemive në OBSH, në një konferencë për shtyp në Gjenevë të enjten.

“Ky përhapet shumë, shumë ndryshe”, tha ajo, shkruan New York Times.

Transmetimi nga njeriu te njeriu i hantavirusit, një familje virusesh që mbarten nga brejtësit, është i rrallë.

Varianti Andes i hantavirusit, i konfirmuar në rastet e lidhura me anijen turistike, është i vetmi që dihet se përhapet nga njeriu te njeriu, por transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë personal, tha Dr. Van Kerkhove.

“Kjo nuk është fillimi i një epidemie, kjo nuk është fillimi i një pandemie”, shtoi ajo.

Që nga 11 prilli, tre pasagjerë që ndodheshin në bordin e MV Hondius, një anije turistike me flamur holandez, kanë vdekur dhe të paktën pesë të tjerë janë sëmurë pasi shfaqën simptoma të hantavirusit, sipas OBSH-së.

Deri tani janë konfirmuar pesë raste në anije, të gjitha të lidhura me variantin Andes, i cili gjendet kryesisht në Amerikën e Jugut.

Persona në disa vende tani po testohen ose monitorohen pasi mund të kenë qenë në kontakt me virusin.

Tre persona në Holandë që zhvilluan simptoma pasi ranë në kontakt me një të infektuar në një avion u testuan për virusin, thanë autoritetet shëndetësore holandeze. Dy rezultuan negativë, ndërsa i treti ishte ende në analizë.

Më herët, ministria holandeze e shëndetësisë tha se një stjuardesë po testohej për hantavirus në një spital të enjten pasi kishte pasur kontakt me një person të infektuar.

Mediat holandeze raportuan se stjuardesa punonte për KLM Royal Dutch Airlines. Kompania refuzoi të komentojë, duke u thirrur në privatësinë e punonjësve, ndërsa ministria nuk sqaroi nëse dy rezultatet negative përfshinin edhe stjuardesën.

Autoritetet nuk bënë të ditur nëse ajo kishte simptoma, apo nëse kishte punuar në një fluturim ku një nga viktimat e anijes kishte hipur për pak kohë një ditë para se të vdiste. Viktima, një grua holandeze 69-vjeçare, vdiq më 26 prill në Johanesburg, Afrikë e Jugut, shkruan NYT.

Një ditë para vdekjes, ajo hipi në fluturimin KLM 592 nga Johanesburgu drejt Amsterdamit dhe qëndroi rreth një orë në avion, sipas kompanisë ajrore. Një pasagjere në atë fluturim tha se gruaja ishte ndihmuar të hipte në avion me karrocë invalidi.

Stafi i avionit u kujdes për të dhe vendosi ta zbresë para nisjes së fluturimit pothuajse 12-orësh për shkak të gjendjes së saj, sipas KLM.

“Askush në bord nuk mendonte se po përballej me një virus ngjitës”, tha pasagjerja.

KLM bëri të ditur se listën e pasagjerëve ia kishte dorëzuar autoriteteve për gjurmim kontaktesh.

Anija Hondius — me rreth 150 pasagjerë dhe ekuipazh nga afro dy duzina vendesh — ishte në rrugë drejt Ishujve Kanarie të enjten, pasi tre persona të dyshuar si të infektuar u evakuuan drejt Holandës.

Anija nuk do të ankorohet në Ishujt Kanarie, por do të qëndrojë në det të hapur derisa pasagjerët të transferohen me anije të vogla në Tenerife për fluturime kthimi në vendet e tyre, thanë autoritetet lokale.

Pritet të mbërrijë të dielën.

Oceanwide Expeditions, kompania holandeze që operon anijen, tha se dy nga personat e evakuuar ishin anëtarë ekuipazhi me simptoma: një shtetas britanik 56-vjeçar dhe një shtetas holandez 41-vjeçar.

Një grua gjermane 65-vjeçare pa simptoma u evakuua gjithashtu dhe po testohet në Gjermani, sipas Spitalit Universitar të Dyseldorfit.

Dr. Jeanne Marrazzo, drejtoreshë e Shoqatës Amerikane për Sëmundje Infektive, tha se “niveli i shqetësimit duhet të jetë i lartë”, por bëri thirrje për të mos krijuar panik.

“Nuk është një situatë që do të nisë një shpërthim kudo në botë nga këto raste të izoluara”, tha ajo.

“Nuk e dimë ende plotësisht, por duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vlerësojmë rrezikun në kontekst”.

Analiza gjenetike e mostrave në Afrikë të Jugut sugjeron se virusi është pothuajse identik me variantin e parë në Argjentinë dhe nuk ka pësuar mutacione që do ta bënin më të rrezikshëm, sipas Tulio de Oliveira, drejtor i Qendrës për Reagim ndaj Epidemive dhe Inovacion në Universitetin Stellenbosch.

Gjurmimi i të gjithë personave që mund të kenë qenë në kontakt me të infektuarit mund të jetë i vështirë.

Më 24 prill, 30 persona nga të paktën 12 vende zbritën nga anija në Shën Helena, një ishull i largët në Atlantikun Jugor — më shumë se një javë para se të konfirmohej rasti i parë, sipas kompanisë.

Kompania tha se i kishte kontaktuar këta persona. Të paktën një prej tyre, një burrë në Zvicër, po trajtohej në një spital në Cyrih dhe kishte rezultuar pozitiv.

“Po punojmë për të përcaktuar detajet e të gjithë pasagjerëve dhe ekuipazhit që kanë hipur dhe zbritur nga anija që nga 20 marsi”, tha kompania.

Në Singapor, dy persona që kishin qenë në anije ishin në izolim dhe po testoheshin. Në Danimarkë, një pasagjer danez po vetëizolohej pa simptoma.

Një shtetas francez që kishte qenë në kontakt me një pasagjer të anijes në një fluturim më 25 prill drejt Johanesburgut shfaqi simptoma të lehta dhe është në izolim. Shtatë shtetas të tjerë francezë në atë fluturim po monitorohen.

Në Shtetet e Bashkuara, banorë në katër shtete po monitoroheshin për infeksion të mundshëm pas qëndrimit në anije, por asnjëri nuk kishte simptoma.