Sulmuesi norvegjez Erling Haaland është mësuar me vëmendjen. Ai është 1.95 metra i gjatë, me flokë të gjatë biondë deri në supe që të kujtojnë prejardhjen e tij vikinge. Është gjithashtu një nga futbollistët më të mirë në botë dhe ka udhëhequr kombëtaren e Norvegjisë drejt pjesëmarrjes së parë në Kupën e Botës pas gati tre dekadash. Por, disa javë më parë, stilisti dhe krijuesi i përmbajtjes në TikTok, Jack Savoie, vuri në pah diçka tjetër për të cilën Haaland njihet: koleksionin e tij të çantave Hermès.
“A i keni parë çantat Birkin të personalizuara të Erling Haaland? Përgatituni,” tha Savoie në një video që u bë shpejt virale.
“Në fakt, gjëja e parë që duhet të them është se jo të gjitha janë Birkin,” shpjegoi Savoie në një intervistë telefonike. Shumë prej çantave të Haaland janë në fakt Haut à Courroies (HAC), modeli mbi të cilin u krijua Birkin, por me një formë pak më të lartë dhe më të ngushtë. Megjithatë, kjo nuk e zvogëlon aspak ndikimin e koleksionit të tij.
Në videon, e cila ka grumbulluar mbi 10 milionë shikime, Savoie analizon koleksionin e futbollistit. Aty është edicioni special “Endless Road” HAC, të cilin Haaland e mbante kur zbriti nga avioni në Karolinën e Veriut para Kupës së Botës. Çanta me ngjyrë kocke është zbukuruar me copa lëkure blu dhe gri që krijojnë një pamje të një rruge malore. Ai ka gjithashtu një HAC prej kanavace me ngjyrë jeshile myshku, një tjetër me motive shahu në të zezë dhe portokalli, madje është parë duke mbajtur edhe çantën Birkin 25 të të dashurës së tij, Isabel Haugseng Johansen, të futur brenda HAC-it të tij 50. “Ai mbante dy Birkin njëkohësisht. Ishte jashtëzakonisht elegante,” tha Savoie.

Haaland nuk është i vetmi futbollist me pasion për Hermès. Superylli argjentinas Lionel Messi udhëton me një HAC 40 me xhepa të shumtë, ndërsa mbrojtësi holandez dhe adhuruesi i modës Virgil van Dijk ka një të tillë prej lëkure gri. Edhe David Beckham duket se zotëron një koleksion çantash Hermes në përmasa XL.
Çantat luksoze të të gjitha llojeve po shihen gjithnjë e më shumë edhe në Kupën e Botës. Kombëtarja franceze, një nga favoritët për ta fituar turneun, mbërriti me çanta HAC, por edhe modele nga Chanel dhe Louis Vuitton. Sulmuesi francez Marcus Thuram mbante një çantë maxi prej kamoshi jeshil nga bashkëpunimi i Chanel me Pharrell Williams, ndërsa Rayan Cherki u shfaq me një Hermes Kelly Maxi.
Megjithatë, koleksioni mbresëlënës i Haaland ka ndezur një debat të ri mbi burrat dhe përdorimin e çantave të dorës. Kombinimi i një sportisti që mishëron maskulinitetin tradicional me një aksesor që shpesh konsiderohet femëror duket se sfidon perceptimet kulturore.
Fotografitë e Haaland në pistën e aeroportit u mbushën me komente homofobike dhe me pyetje mbi burrërinë e tij. “Nuk do ta kuptoj kurrë pse një burrë i rritur dëshiron të mbajë çantë dore,” shkroi një përdorues në Instagram.
Të tjerë, megjithatë, e mbështetën. “Kështu qenka mënyra si e zbulova që Haaland është ikonë mode?” komentoi një tjetër.
“Mendoj se për shumë kohë njerëzve u është thënë çfarë mund dhe çfarë nuk mund të veshin. Tani po ndodh një ndryshim, ku njerëzit thonë: ‘Nuk më intereson’. Nëse më bën të lumtur, do ta mbaj ashtu siç dua unë,” tha Savoie. Ai përmendi edhe faktin se gjithnjë e më shumë sportistë meshkuj po mbajnë bizhuteri luksoze, si ato të Van Cleef & Arpels, edhe pse disa prej tyre tradicionalisht lidhen me stilin femëror.
Ironia është se çanta Hermes HAC, që sot shihet shpesh si aksesor femëror, u krijua në fund të shekullit XIX si një çantë për transportimin e pajisjeve të kalërimit. Vetëm shumë dekada më vonë, marka prezantoi çanta të projektuara posaçërisht për gratë.
“Mendoj se njerëzit po vlerësojnë gjithnjë e më shumë gjërat e bukura, pavarësisht gjinisë,” tha Savoie. “Madje nuk e kuptoj pse këto çanta duhet të kenë gjini.”

Pavarësisht gjithë diskutimeve rreth zgjedhjes së tij të çantave, Haaland nuk duket aspak i shqetësuar. Ai shënoi nga dy gola në secilën prej dy ndeshjeve të para në këtë Kupë Bote, duke u bërë vetëm futbollisti i gjashtë në histori që arrin një statistikë të tillë.
Sipas Savoie, kombinimi i fuqisë fizike të Haaland me shijen e tij të veçantë në modë vetëm sa e bën atë më interesant.
“Kjo thjesht i shton edhe një shtresë tjetër legjendës së tij,” përfundoi ai.









